Ruci: Berisha po vret ëndrrat e shqiptarëve

03/06/2010 20:00

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci ka hedhur një sërë akuzash ndaj kryeministrit Berisha, në radhë të parë për pengimin e procesit të integrimit dhe më pas për një sërë dështimesh në fushat e tjera.

Duke folur në seancën e sotme parlamentare, Ruci e ka vënë theksin tek situata e sigurisë në vend, duke i bërë referim zhdukjes së vajzës 9 vjecare nga Kukësi.

“Ëndërra për vizat është e bukur, po përse po e vrisni? Berisha tallet me qytetarët për ekonominë. Berisha gënjeu për sigurinë në vend. Në vend vriten cdo ditë nga dy persona. Prindërit e vogëlushes po presin fëmijën e tyre. Ndërkohë që ju i thoni se shqipëria është një nga vendet më të sigurta”, është shprehur Ruci.

Më tej deputeti socialist i ka përsëritur kryeministrit kërkesën e vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive, duke nnënvizuar se ajo s’ka përse të pengohet nëse është e vërtetë që PD ka fituar zgjedhjet.

“Nëse ju i besoni asaj që thoni, i hapni dritën jeshile asaj që opozita iu ka kërkuar për disa muaj rresht, hetimin e lirë”, i është drejtuar Ruci Berishës.

Më tej, ai e ka cilësuar si provokim vendimin e qeverisë për të zbrazur shtëpinë e deputetit Dashamir Peza, në Pezë.

“Pronarit të asaj shtëpie i ke nxjerrë eshtrat nga varri, ndërsa sot nxjerr nga shtëpia të birin e tij”, ka shtuar Ruci.

Top Channel