Një nga themeluesit e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi ka rrëfyer në një intervistë për emisionin “Top Story” historinë e krijimit të partisë që ka dominuar për një kohë të gjatë në skenën politike shqiptare.
Rrëfimin e tij të gjatë Pëllumbi e ka nisur me krijimin e pluralizmit në Shqipëri, në krye të të cilit do të ishte Partia Demokratike.
“Në dhjetor të 90-ës, pas lëvizjes së studentëve, u vendos në një mbledhje krijimi i pluralizmit politik me në krye PD, pastaj dolën partitë e tjera”, ka deklaruar Pëllumbi.
Sipas tij, në këto momente filloi të merrte jetë edhe Partia Socialiste, e cila do të pasonte Partinë e Punës së diktatorit Enver Hoxha.
“Në këtë situatë, para Partisë së Punës u shtruan cështjet se c’do të bëhej me këtë parti, cili ishte qëndrimi i anëtarëve. Do shkonin anëtarët tek partitë që ishin krijuar, apo do të ristrukturohej kjo parti. Në radhët e Partisë së Punës lindi iniciativa se cfarë të bëhej. Dikush thoshtë se ajo parti duhej rinovuar, të tjerë thanë se nuk duhej bërë një rinovim, duke krijuar një parti socialdemokrate. Dhe ishte ky grupi që solli ndryshimin”, ka treguar Pëllumbi, duke cituar edhe disa nga emrat e këtij grupi, Spiro Dede, Ismail Lleshi, etj.
Sipas tij, të gjitha lëvizjet brenda partisë kontrolloheshin nga Ramiz Alia, i cili ishte në dijeni për gjithcka dhe kishte kontakte me anëtarët e saj.
“Ramiz Alia ka luajtur një rol shumë kontradiktor. Nga njëra anë ai në fjalimet publike thoshte se socializmi këtu i ka rrënjët e thella, por në anën tjetër realiteti fliste për të kundërtën. Gjithashtu, ai ishte në dijeni për lëvizjet brenda partisë dhe fliste me disa prej anëtarëve. Gjërat nuk kanë ndodhur jashtë vëmendjes së Ramiz Alisë”, është shprehur Pëllumbi.
Ai ka theksuar se Ramiz Alia synonte të bënte një riciklim të partisë, por që ndodhi e kundërta dhe doli propozimi për krijimin e PS, e cila kishte nevojë për koncepte të reja.
“Në një mbledhje pleniumi Ramizi u tha atyre anëtarëve se gjithcka është kopsitur dhe se do bëhet një kongres ku do të bëhet riciklimi. Por ndodhi e kundërta. Dhe pas kësaj doli propozimi për krijimin e PS. Këtu unë ndërhyra dhe thash se nuk është i nevojshëm vetëm ndërrimi i emrit. Ne na duhet një koncept i ri dhe pas kësaj pati diskutime të tjera dhe në fund u vendos që emri do të jetë PS”, ka bërë të ditur Pëllumbi.
“Pas kësaj gjërat u qartësuan. Gramoz Ruci drejtoi një seancë të kongresit me shumë kompetencë. Propozimet që erdhën nga salla ai i mbajti shënim dhe i hodhi në votë. U votua për përjashtimin e atyre anëtarëve, Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, por edhe të tjerë, dhe këtu filloi ndryshimi. Unë e kuptova se kapitulli i partisë së punës u mbyll”, ka nënvizuar ai.
Një rol të rëndësishëm këtu ka pasur sipas tij edhe Dritëro Agolli, i cili ndërgjegjësoi delegatët në kongres, ndërkohë që Ramiz Alisë i doli situata jashtë kontrollit.
“Disa procese dolën jashtë kontrollit të Ramiz Alisë, ai nuk priste që gjërat të shkonin ndryshe në kongres. Dritëroi foli ashtu sic folën të tjerët, përdori edhe disa fjalë figurative dhe s’është e vërtetë që gjithë delegatët e kundërshtuan. Disa e mbështetën dhe ai u emocionua. Fjala e tij shërbeu si një katalizator i rëndësishëm dhe ata që reaguan kundër Dritëroit ishin kundër reformimit”, është shprehur Pëllumbi.
Pëllumbi ka treguar edhe rolin e tij në largimin e partisë së re nga tendencat enveriste, si dhe momentin e largimit të Nexhmije Hoxhës.
“Pati një entuziazëm në krjimin e kësaj të majte të re dhe ne krijuam rezoluta të vecanta për distancimin nga Enver Hoxha. Ndërsa Nexhmija nuk aderoi në PS”, ka treguar Pëllumbi.
Themeluesi i PS ka treguar më tej edhe mënyrat se si Fatos Nano erdhi në krye të partisë socialiste, pas këmbënguljes së Ramiz Alisë, i cili sipas tij zgjodhi edhe Berishën në krye të PD.
“Unë e kundërshtoj deklaratën e Nanos, se unë themelova PS-në. Nuk e themeloi ai, ishin një grup njerëzish që e themeluan dhe themelimi i partisë vazhdoi edhe pas kongresit. Më pas u ngul këmbë për Fatos Nanon. Ai thotë se nuk është takuar me Ramiz Alinë. Por unë kam qenë dëshmitar, ai ka thirrur Nanon, në praninë e Ylli Bufit dhe Kastriot Islamit dhe i ka mbushur mendjen. Më pas Fatosi erdhi në mbledhje dhe tha se, unë pranova për të qenë kryetar partie. U pranua dhe kështu u bë zgjedhja e parë e kryetarit të PS. Nga Ramiz Alia i kemi si Nanon ashtu dhe Berishën”, ka shtuar Pëllumbi.
Top Channel