Bujar Dervishi, “Jezusi” shqiptar që ndihmon të varfërit

03/06/2010 18:45

Nuk jemi në ndonjë qendër kujdesi social të shtetit, por në shtëpinë e një njeriu bujar i cili mirëpret cdo ditë për drekë dhjetra njerëz të panjohur.

Jemi në shtëpinë e Bujar Dervishit, në fshatin Shën Avlash të Durrësit, një njeriu që prej 4 vitesh banesën e tij e ka kthyer në një azil dhe mensë publike. Ai shtron dreka për të varfrit dhe strehon të braktisurit dhe endacakët e rrugëve.

“Mbaj me ushqim rreth 30 njerëz. Cdo ditë u jap drekë. Mensa është e hapur nga ora 10 deri 12 të darkës. Gjithashtu kam edhe një azil prej 8 personash”, shprehet ai. Ideja për ta kthyer shtëpinë në një mensë publike, në fillim tingëlloi çuditshëm për të afrëmit e Bujarit. Por, shumë shpejt ai siguroi mbeshtetjen e bashkshortes, Servetes, e cila shërben cdo ditë si kryezonjë në një familje të madhe.

“Në fillim m’u duk pak çuditshëm, por pastaj duke njohur Bujarin, shpirtin e tij të madh, thashë dakord. Tani jam mësuar edhe unë me këta njerëz. Një ditë të mos vijë dikush më bën habi”, thotë ajo. Violeta një grua 40 vjecare është bujtëse e përditshme në shtëpinë e Bujarit. Ajo udhëton rreth një orë së bashku me të vegjëlit e saj për të pëfituar ushqimin e ditës. “Perditë vij. Ha drekë dhe ikim. S’kam cfarë të bëj, s’kam punë”, shprehet ajo.

Ndërsa Bardhyli, është një prej personave të braktisur që ka gjetur mbështetje në strehën e kësaj familjeje bujare. Ka plot katër vjet që kjo banesë është bërë shtëpia e tij. Bujari ka përjetuar disa fatkeqësi personale në jetë, dhimbjen e së cilave e ka kthyer në forcë për t’ju shërbyer këtyre njerëzve në nevojë. Ai tregon se dikur ka qenë emigrant.

Dikur të tjerët e kanë ndihmuar atë, ai sot ndihmon këta njerëz si dhe nga fakteqësitë që ka kaluar, ka shpëtuar dhe ka menduar t’ju shërbejë njerëzve. Të gjitha shpenzimet për ushqim, veshmbathje, por dhe medikamente për të moshuarit e marrë nën kujdestari, Bujari i mbulon me të ardhurat familjare. “Kam një servis dhe një parking privat nga të cilat marr një milion e pesëqind mijë lekë në muaj. Kur ngelem keq i kërkoj djalit tim që kam në Itali dhe ai nuk kursehet”, thekson Bujari.

Ajo që ky njeri bujar bën për këta njerëz nuk ka të çmuar. Në zonë të gjithë e thërrasin me emrin e shenjtores katolike “Nënë Tereza”. Bujari është pasqyrim i përthyer i realitetit të sotëm ku gjithkush synon drejt pasurimit dhe të mirave vetiake. Ai ka mësuar se nganjëherë fatkeqësitë në jetë të drejtojnë të jesh një njeri më i mirë, një tip njeriu ky, për të cilin ka sot në këtë vend aq shumë nevojë.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel