Berisha: Shqipëria, para momenteve historike

03/06/2010 19:30

Kryeministri Sali Berisha, duke iu përgjigju akuzave të opozitës se po pengon procesin e liberalizimit të vizave, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet përpara momenteve historike, duke parë vendimet e Komisionit Evropian.

“Përshëndes nga kjo platformë e tempullit shqiptar vendimet historike të marra për Shqipërinë dhe shqiptarët në dy javët e fundit. Këto vendime janë akte madhore në historinë e këtij kombi, mbi të cilat po shndërrohet në realitet ëndërra më e bukur e shqiptarëve”, ka pohuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se me këto vendime, Bashkimi Evropian ka shprehur besimin që ka tek Shqipëria.

“Vendimet e KE dhe KiE përbëjnë aktet më miqësore që kombet e Europës së bashkuar kanë shprehur ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë”, ka shtuar Berisha.

Kryeministri ka shtuar se këto vendime kanë ardhur pasi në harkun më të shkurtër kohor Shqipëria është kthyer në një vend me siguri më të lartë se vende të tjera të Evropës.

Top Channel