Berisha: Qeveria kundër stereotipeve gjinore

03/06/2010 10:45

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se qeveria është e angazhuar që të luftojë stereotipin e pabarazisë gjinore që ekziston në Shqipëri. Duke folur në një konferencë të zhvilluar në lidhje me pabarazitë gjinore, kryeministri ka deklaruar se edhe pse ligjet ekzistojnë, realiteti është krejt ndryshe.

Ai ka dënuar stereotipet ndaj grave, dhunën dhe krimin në familje.  

“Një qendrim i rreptë ndaj këtij krimi është i domodoshëm. Me ligje jemi në rregull, por në realitet nuk jemi”, është shprehur Berisha.

“Kjo konferencë duhet të dalë me një program pune me të cilin qeveria, institucionet e këtij vendi, shoqëria civile së bashku të përcaktojmë objektiva të qarta. Në rast se duam të lutojmë stereotipin, ne duhet të ecim me plane veprimi të matshme dhe të kontrollueshme. Jam i bindur se kjo do të jetë një levë e fuqishme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe vendit në tërësi”, theksoi kreu i qeverisë.

“Qeveria do të bëjë çdo përpjekje në bashkëpunim me partnerët tanë që të luftojmë me sukses pasojat e një stereotipi nga i cili shoqëria shqiptare duhet të çlirohet sa më shpejt”, theksoi Berisha.

Ndërkohë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch theksoi se respektimi i barazisë gjinore është shumë i rëndësishëm për një shoqëëri të lirë dhe demokratike.

“Në këtë konferencë synojmë të shikojmë sfidat në lidhje me barazitë gjinore në një shoqëri të hapur dhe demokratike. Duhet të arrijmë në një sërë marrëveshjesh për vlerësimin e rolit të gruas në shoqëri”, deklaroi Bosch.

Top Channel