19 vjecarja e sëmurë kërkon ndihmë

03/06/2010 16:05

Edmira Dushi është vetëm 19 vjec. Prej 4 muajsh ajo po lufton me një sëmundje të rëndë që i ka prekur veshkat.

Sëmundja e ka detyruar të ndërpresë mësimin në Universitetin e Elbasanit dhe të dergjet në shtrat në shtëpinë e saj të varfër, në fshatin Zhelizhan të Lushnjes.

Familja e saj e varfër e ka të pamundur që të përballojë shpenzimet e një operacioni që do t’i shpëtonte jetën vajzës së re.

“Ju bëjmë thirrje të na ndihmoni për një transplant, pasi pa transplant nuk ka shpëtim”, shprehet Viktor Dushi, babai i vajzës.

Të njëjtin apel bën edhe nëna e saj, e cila thekson se familja e ka të pamundur të përballojë koston e operacionit.

“Shuma është shumë e lartë, 15 milionë, që gjëndja jonë ekonomike nuk na i mundëson dot”, tregon Besie Dushi.

Për të ndihmuar Edmirën janë bashkuar dhe ish-mësueset e shkollës së mesme, të cilat kanë mbledhur disa të holla, duke sensibilizuar nxënësit dhe banorët e zonës.

Vetë Edmira, me lotë në sy dhe me vështirësi, kërkon një ndihmë për jetën e saj, që dhe ajo të jetojë si gjithë të tjerët.

“Edhe unë dua të jetoj sepse kam ëndrra për jetën time. Dua ndihmë, dikush të me ndihmojë”, thotë ajo.

Top Channel