Ulet interesi i bonove

02/06/2010 21:00

Të dhënat zyrtare mbi tregun e bonove të thesarit tregojnë për një situatë paradoksi. Gjatë gjithë vitit të kaluar interesi i bonove njohu vetëm rritje, duke kapërcyer edhe nivelin 9.5 për qind.

Në atë kohë Banka e Shqipërisë tha se shkaku ishte kërkesa e lartë e qeverisë për borxh.

“I kemi thënë qeverisë se nëse do para dil në treg. Po kërkove më shumë do kesh interes të lartë”, deklaroi në komisionin e ekonomisë guvernatori Ardian Fullani.

Por të dhënat e fundit të buxhetit e vënë në dyshim këtë argument. Në katër muajt e parë të vitit të kaluar, borxhi i ri që qeveria mori përmes bonove të thesarit ishte vetëm 440 milionë lekë dhe interesi për bonot njëvjecare ishte rreth 9.2 për qind.

Këtë vit qeveria ka marrë, jo pak, por 23 herë më shumë borxh në tregun vendas krahasuar me vitin e kaluar. Paradoksalisht, me argumentin e guvernatorit, interesi i bonove në vend të rritej është ulur me 1.2 për qind.

Kjo situatë paradoskale shtron pyetjen nese koston që qytetarët e këtij vendi paguajnë për borxhin që merr qeveria e tyre përcaktohet nga mekanizmat e tregut apo faktorë të tjerë jashtë tij?

Top Channel