Topi- Withers, diskutojnë për situatën politike

02/06/2010 12:15

Presidenti i Republikës është takuar përpara disa minutash me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë John Withers, në një takim të panjoftuar paraprakisht për mediat.

Në fund të takimit zyra e shtypit e Presidencës ka nxjerrë një njoftim të shkurtër, sipas të cilit takimi cilësohet një “takim pune”. Bie në sy cilësimi që i bëhet ambasadorit Withers si “përfaqësuesi diplomatik i aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë”.

Njoftimi konfirmon se në takim është folur për situatën aktuale politike në vend dhe për çështjet e gjyqësorit shqiptar, për sa u përket zhvillimeve më të fundit në këtë spektër. Përpara disa ditësh ambasadori Withers, e cilësoi politik vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kandidaturën e Vangjel Kostës si gjyqtar i në Gjykatën kushtetuese, duke e vlerësuar me kriteret e Ligjit të Lustracionit të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues.

Presidenti i Republikës ka dekretuar edhe 3 emra të tjerë për në Gjykatën e Lartë, për të cilët Kuvendi duhet të shprehet në ditët në vijim.

Top Channel