Peza, qeveria: Pronë shtetërore

02/06/2010 20:05

Këshilli i Ministrave ka vendosur të kalojë në varësi të Ministrisë së Kulturës shtëpinë e deputetit Dashamir Peza, e konsideruar nga qeveria si “Muzeu i Konferencës së Pezës” dhe pronë të paluajtshme shtetërore, dëri tani në varësi juridike të bashkisë së Tiranës.

“Pretenduesve të pronës iu kërkua ky vendim dhe iu kërkua bashkëpunim për kryerjen e procedurave. Deputeti Dashamir Peza nuk paraqiti asnjë dokument që të vërtetonte pronën e tij. Për të penguar procedurat ligjore zoti Peza futi 40 persona në banesë”, ka deklaruar Lorisa Ylli, zëdhënëse e MTKRS.

Ndërkohë që MTKRS bënte të ditur vendimin e hyrë në fuqi menjëherë, sipas ministrisë, bashkia e Tiranës dërgoi pranë këtij institucioni një shkresë, ku pretendohet se bashkia ka kërkuar në vitin 2006, që objekti në fjalë të hiqet nga vartësia e monumenteve të kulturës, gjë që në fakt ndodhi.

Me një vendim të ish-minsitrit të Kulturës Bujar Leskaj, shtëpia muze e konferencës së Pezës dhe disa objekte të tjera me të njëjtin status u hoqën nga varësia e Monumenteve të Kulturës.

Duke iu referuar pikërisht shtëpisë muze të Pezës dhe kalimin e saj në varësi të bashkisë së Tiranës, MTKRS e ka cilësuar si aferë korruptive te kryebashkiakut Rama, pasi sipas saj, objekti duhet të ishte rregjistruar në inventarin e komunës së Pezës.

Top Channel