Meta: BE konfirmoi mbështetjen për Ballkanin

02/06/2010 18:15

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka deklaruar se në samitin e Sarajevës, përfaqësuesit e vendeve të BE kanë shprehur unanimisht mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë.

“Vlerësoj faktin që BE i kushtoi vëmendje të posacme Ballkanit perëndimor në një kohë që nuk është e lehtë për BE-në, pasi është një periudhë sfidash të rëndësishme që kanë të bëjnë me krizën ekonomike. Ajo që dua të theksoj është përfocimi i angazhimit të BE për të afruar vendet e Ballkanit perëndimor”, ka pohuar Meta.

Duke folur në një intervistë për VOA, shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se mbështetje është dhënë edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Por Meta ka nënvizuar se përsa i përket procesit të anëtarësimit në BE, Shqipëria ka ende shumë sfida, mes të cilave edhe ajo e dialogut politik.

“Mbështetje unanime iu dha edhe vendimit të KE për heqjen e vizave, ndërsa për anëtarësimin në BE është e qartë se Shqipëria është në një proces intensiv. Në këtë drejtim duhet edhe një dialog politik i qëndrueshëm”, është shprehur Meta.

Ai ka shtuar më tej se një tjetër pikë e rëndësishme ishte edhe mbështetja që vendet evropiane shprehën për Kosovën.

“Për Kosovën u dha mbështetja për marrjen brenda vitit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe për zgjidhjen e cështjeve praktike me Serbinë”, ka shtuar Meta.

Top Channel