Kriza, Fyle: Zgjidhje para vizave në PE

02/06/2010 19:50

Kriza politike shqiptare është diskutuar në samitin e ministrave të Jashtëm në Sarajevë, ku u diskutua mbi integrimin e Ballkanit. (UPDATE)

Komisineri Shtefan Fyle, duke folur për cështjen e vizave, deklaroi se Evropa pret një zgjidhje nga klasa politke shqiptare para se Parlamenti Europian të diskutojë propozimin e Komisionit për heqjen e vizave, i cili do të jetë edhe një vendim politik.

“Shpresoj shumë që liderët politikë në Shqipëri janë të angazhuar për të gjetur një zgjidhje politike para se PE të marrë në konsideratë vendimin e Komisionit. Nuk dua të jap një përgjigje që u takon institucioneve të tjera, por e vetmja gjë që mund të theksoj është se PE i vlerëson vendimet e KE”, ka pohuar Fyle.

Ndërkohë që ministri i Jashtëm spanjoll, Migel Angel Moratinos ka theksuar se pret një vendim poizitv për heqjen e vizave, por pa thënë se kur mund të ndodhë kjo konkretisht.

“Kur komisioni thotë “ok” ne e japim dritën jeshile. Unë nuk mund të jap një datë se kur ju do të shkoni në Spanjë pa vajtur më parë në ambasadën spanjolle, por kjo do të ndodhë shumë shpejt”, ka deklaruar Moratinos.

Kalimi i krizës është dicka tek e cila e ka vënë theksin edhe ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta, i cili ka theksuar se nëse nuk arrihet zgjidhja ajo do të ketë efekte ndëshkuese për shqiptarët.

“Kjo situatë nuk është aspak e këndshme dhe do të kishte efekte negative. Do të ishte një ndëshkim i pamerituar për shqiptarët dhe një zhgënjim për strukturat evropiane, që duan ta mbështesin Shqipërinë”, ka pohuar Meta.

Top Channel