Harron të birin në makinë, e gjen të pajetë

02/06/2010 13:30

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Qipro, kur një person ka harruar të birin vetëm 5-vjec në makinë, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Sipas mediave vendase, e gjithë kjo ka ndodhur në qytetin Larnaka. Një burrë me profesion mjek ndërsa po conte djalin e tij në kopsht është marrë në telefon nga spitali ku lajmërohej të shkonte me urgjencë në vendin e punës, pasi duhet të kryente një operacion.

Mjeku, mesa duket në atë moment është përqendruar vetëm në misionin e tij dhe ka harruar që në makinë kishte edhe të birin. Me shpejtësi ai i është drejtuar spitalit të qytetit, ka parkuar, ka mbyllur automjetin dhe ka vijuar punën normalisht.

Pas disa orësh nëna e fëmijës shkon për të marrë të birin në kopsht, por aty mëson se djali i saj nuk kishte qenë atje. Menjëherë ajo telefonon të shoqin për të pyetur të birin dhe aty mjeku  kujtohet se e ka harruar djalin në makinë.Pasi kanë shkuar në parking kanë parë që djali ishte i pajetë, ndërsa pranë tij ka qenë një shishe uji e boshatisur.

Kujtojmë se temperatura në Qipro ka qenë e lartë dhe brenda në makinë i ka kaluar 50 gradë celsius.

Trupi i pajetë i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore dhe ka rezultuar se vdekja ishte pasojë e një ataku kardiak, ndërsa fëmija vuante edhe nga astma

Top Channel