Droutsas: Greqia, inventar pronash në Shqipëri

02/06/2010 08:25

Minoriteti grek në Shqipëri duket se do të mbetet përcaktues në marrëdhëniet me Greqinë.

Supozimet dhe debatet mediatike që riciklohen periodikisht në Tiranë rreth interesave helene në vendin tonë, kanë marrë një konfirmim zyrtar nga Athina, madje nga nivele shumë të larta të politikës.

Në një seancë parlamentare të ditës së hënë, ministri i Jashtëm plotësues i Greqisë, Dimitris Droutsas, duke iu përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesve të nacionalistëve të partisë LA.O.S, ka bërë publike rrezen e interesave në Shqipëri dhe hapat që do të ndërmerren për realizimin e tyre.

“Prezenca e fortë dhe e qëndrueshme ekonomike e Greqisë në Shqipëri së bashku me programet e zhvillimit dhe projektet e infrastrukturës që ne po themelojmë atje kontribuojnë në krijimin e kushteve të duhura për anëtarët e Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri që të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe për ata që janë larguar që të rikthehen.

Ministria e Jashtme greke po zhvillon së bashku me OSBE-në një program për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronave në bregdetin jugor të Shqipërisë”. Kjo deklaratë e Droutsas duket se do të jetë hapi që qeveria e Athinës do të ndërmarrë për të siguruar përmes dokumentacionit zyrtar shqiptar një shifër ekonomike të prezencës së minoritetit, e cila në vetvete ofron edhe një përmasë gjeografike apo territoriale.

Me interes është të shihet se adresa që Droutsas jep për sa i përket çështjeve të pronësisë së pakicës i referohet bregdetit, çka vetvetiu nxjerr në sipërfaqe problemin e Himarës. Lidhur me këtë të fundit, Tirana zyrtare nuk njeh prani të minoriteteve, çka e bën pranimin e mundshëm të inventarizimit të pronësisë sipas termave që jep ministri grek, një hap të parë të ndryshimit të qëndrimeve të saj. Në njëfarë mënyre, konteksti i brendshëm politik shqiptar e kthen projektin e sipërcituar në një sfidë delikate për qeverinë aktuale, që ka në regjistrin e vet disa akte jo shumë të pranueshme për opinionin e gjerë.

Top Channel