Athinë, shqiptari arratiset nga gjykata

02/06/2010 17:35

Një shtetas shqiptar u arratis në mënyrë spektakolare nga gjykata e Athinës mesditën e së martës.

Sipas policisë lokale, 28 vjecari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet publik per shkak të hetimit, ishte dërguar përpara hetuesve për t’u marrë në pyetje lidhur me një akuze shtesë në procesin kundër tij.

Nuk dihen detaje të arratisjes, por burime policore thanë për Top Channel se 28 vjecari mundi të hidhej nga kati i dytë i zyrës së hetuesve dhe prej andej u largua me vrap.

Hetuesi njoftoi rojet e sigurisë që ndodheshin jashtë zyrës së tij, por deri në mbylljen e portave të gjykatës kishin kaluar disa minuta.

Dyshohet se ai u ndihmua nga persona të tjerë jashtë gjykatës, të cilët kanë mundësuar largimin me shpejtësi të 28 vjecarit.

Ai akuzohej për trafik lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje. 28 vjecari mbahej në burgun Koridhalos prej pak kohësh dhe ishte dërguar në hetuesi pak orë para se të arratisej. Policia nisi një operacion për gjetjen dhe rikthimin sërish në burg të tij.

Top Channel