Topi uron fëmijët për festën e 1 Qershorit

01/06/2010 16:55

Salla ‘Skënderbeu’ në Presidencë, që shërben për pritje të ndryshme, u mbush me nxënës të dalluar të shkollave 9-vjecare në kryeqytet.

Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta u uruan atyre festën e 1 Qershorit: “Edhe ne e kemi festuar dikur Festën e 1 Qershorit, sepse kjo është një festë tradicionale dhe unë besoj që festa që ju gëzoni sot është shumë herë më e bukur se ajo që ne festonim dikur, sepse ju jetoni më mirë. Ju jetoni në një Shqipëri më të bukur, jetoni çaste, dhe këtë do e kuptoni ndoshta më vonë, kur ju të rriteni edhe më shumë, që Shqipëria, të gjithë shqiptarët, edhe fëmijët, do të jenë si të gjithë qytetarët evropianë. Kështu që ky është një moment shumë i bukur, shumë emocionues”, u shpreh Topi. Më pas presidenti ndoqi një program të shkurtër me vjersha dhe këngë të përgatitura nga vetë fëmijët. Më herët gjatë paradites, Zonja e Parë vizitoi shtëpinë e fëmijëve ‘Zyber Hallulli’, ku shpërndau dhurata të ndryshme.

Top Channel