PD, “gjyq” për anëtarët e gjykatave

01/06/2010 08:30

Mazhoranca vendosi dje të “hetojë” në mënyrë më të plotë dhe transparente kandidaturat e institucioneve kushtetuese, për të shoshitur çdo qëndrim, i cili i konsideron të përcipta seancat dëgjimore të organizuara nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve.

Vendimi për t’u dhënë seancave dëgjimore formën e një “seance gjyqësore” u mor në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Burimet brenda grupit bëjnë të ditur për “Shqip” se drafti me ndryshimet e reja në procedurat e seancave dëgjimore të Komisionit të Ligjeve ka nisur të hartohet nga një pjesë e deputetëve të komisionit parlamentar të ligjeve.

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit, u ka kërkuar deputetëve të Komisionit të Ligjeve që të parashikonin në draftin e tyre krijimin e mundësive për të pasur një seancë dëgjimore sa më të plotë me anëtarët e institucioneve kushtetuese dhe kryesisht kandidaturat e reja për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Në këtë kuadër, Berisha ka theksuar në grup se ishte e nevojshme që seanca dëgjimore me kandidaturat të zgjaste më shumë në kohë, duke mos përjashtuar mundësinë që dëgjimi i një kandidature të zgjaste edhe me ditë të tëra.

Top Channel