Berisha: Përmirësim klimës së biznesit

01/06/2010 09:30

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar se qeveria e drejtuar prej tij po punon në mënyrë intensive për të lehtësuar më tej kushtet për investitorët e huaj.

Duke folur në konferencën e Bankës Botërore, Berisha është shprehur se qeveria po harton reforma të rëndësishme në bashkëpunim me këtë institucion ndërkombëtar.

“Shqipëria ka nevojë për lehtësimin e investimeve të huaja dhe për një klimë biznesi sa më të përshtatshme. Një reformë në bashkëpunim me Bankën Botërore për këtë qëllim është në hartim e sipër”, ka pohuar Berisha.

Kryeministri ka theksuar se një tjetër faktor i rëndësishëm për ekonominë vendase është stabiliteti makroekonomik, i cili sipas tij është jetik për zhvillimin.

“Stabiliteti makroekonomik është një faktor tjetër madhor që pëcakton qëndrimet e qeverisë sime. Është një kusht tjetër themelor për një zhvillim të qendrueshëm dhe të shpejtë”, ka nënvizuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka shtuar më tej se një tjetër prioritet i kabinetit të tij është ulja e deficitit buxhetor, ndonëse ai nuk ka qenë në nivele shqetësuese, për faktin se Shqipëria i rezistoi krizës ekonomike globale.

“Qeveria këtë vit ka vendosur të përforcojë synimin e saj, zvogëlimin e deficitit buxhetor. Ndonëse nuk ka qenë në shifra të papranueshme, ekzekutivi ka vendosur të reduktojë borxhin publik. Në këtë krizë botërore, ekonomia shqiptare qëndroi më mirë se shumica e ekonomive të tjera”, ka shtuar Berisha.

Top Channel