Madhi: PS të zgjidhte rrugën ligjore

31/05/2010 21:50

Arjan Madhi, anëtar i Partisë Republikane, ka kritikuar mënyrën se si opozita po kërkon plotësimin e kërkesave të saj për zgjidhjen e krizës politike.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Madhi është shprehur se në vend të bojkotit dhe grevës, PS duhet të kishte ndjekur rrugën e gjykatave.

“Cfarë ka bërë opozita? Operacionin e saj politik nuk e ka bazuar tek institucione që do të jepnin zgjidhje, por me bojkot dhe grevë”, ka deklaruar Madhi.

Sipas tij, qeveria është një institucion garant i respektimit të kushtetutës dhe ligjeve dhe një tërheqje nga ky qëndrim do të ishte fatale për të.

“Mazhoranca ka një kosto politike pasi i ka ofruar të gjithë opinionin dhe ka garantuar se mbron institucionet kushtetuese. Nëse ajo tërhiqet nga ky qëndrim tregon se rrënon këto institucione”, ka nënvizuar Madhi.

Ai ka shtuar më tej se transparenca e zgjedhjeve që kërkon opozita mund të bëhet vetëm përmes gjykatave dhe jo me kompromise politike.

“Opozitës nuk i mungon transparenca, ajo mund t’i drejtohej institucioneve që do të mund t’i siguronin edhe hapjen e kutive”, ka shtuar Madhi.

Top Channel