Haxhinasto: PS zgjodhi strategji të gabuar

31/05/2010 21:55

Deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se mënyra sesi PS ka menaxhuar situatën postzgjedhore ka qenë plotësisht e gabuar.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, nëse një palë hyn në një negociatë, nuk mund të pretendojë të fitojë gjithcka, në rastin konkret hapjen e kutive.

“Duhet parë mënyra se si e ka trajtuar PS cështjen e krizës. Arritja e një objektivi në një sistem demokratik nuk bëhet me imponim dhe me qëndrimin “unë të fitoj dhe tjetri të humbasë”. Negocimi bëhet duke planifikuar një zgjidhje, duke pranuar dicka dhe duke ofruar konsensus, të gjitha nuk mund t’i marrësh”, ka pohuar Haxhinasto.

Sipas tij, PS nuk ka zgjedhur rrugën e duhur për të zgjidhur përplasjen politike, pasi ndërmori bojkotin dhe grevën në vend që t’iu drejtohej institucioneve kushtetuese.

“Të negociosh do të thotë të gjesh një territor të përbashkët dhe më pas konsensusin. Nëse nuk arrihet, janë institucionet e gjyqësorit që zgjidhin cështje të tilla”, ka sqaruar Haxhinasto.

Deputeti i LSI ka shtuar më tej se PS ka gabuar edhe në paraqitjen e qëndrimeve të saj, pasi ka bërë gjithmonë kërkesën “maksimale”, atë të hapjes së kutive.

“Edhe në këtë përzgjedhje PS ka bërë një gabim të madh, pasi ajo ka nxjerrë gjithmonë kërkesën maksimale, që është hapja e kutive. Kjo nuk është një kërkesë ligjore, por politike”, ka shtuar Haxhinasto.

Top Channel