Gazi, Serbia ofertë Shqipërisë

31/05/2010 19:15

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ka zhvilluar sot një takim me ministrin serb për Minierat dhe Energjinë, Petar Skundric.

Delegacionet e dy ministrive u shprehën të interesuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos bashkëpunimit ekonomik në fushën energjitike, atë të minierave, etj, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve politike.

Të dy ministrat rënë dakord që së shpejti, gjatë një vizite që ministri Prifti do të zhvillojë në Beograd, të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi, me anë të të cilit do të përcaktohen më konkretisht fushat në të cilat do të thellohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Ministri serb i bëri një ofertë qeverisë shqiptare për furnizimin e vendit tonë me gaz në të ardhmen dhe nëse do jetë e nevojshme, të jetë qeveria serbe investuesi për shtrirjen e tubacioneve të gazit në aksin Serbi-Shqipëri.

Sipas ministrit Prifti, ekzistojnë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim të mirë dypalësh me Serbinë, sidomos në aspektin ekonomik dhe për këtë faktori “Kosovë” nuk duhet të jetë pengesë.

Top Channel