Ceka: Opozita po merr rolin e sindikatave

31/05/2010 21:45

Kreu i Aleancës Demokratike, pjesë e maxhorancës qeverisëse, Neritan Ceka, e ka cilësuar momentin politik si “ngërc politik” ku sipas tij, opozita ka marrë rolin e sindikatave.

“Del ne rrugë, fton njerëzit me parrulla të sindikatave. Kjo ndodh edhe për faktin e thjeshtë që në Shqipëri nuk ka sindikata. Ajo që i mungon sot Shqipërisë është opozita dhe kjo është kriza e saj. Kjo reflektohet në mbarëvajtjen e qeverisjes sepse nuk po bëhen dot reformat që duan 84 vota. Mendoj që PS po bën një nga gabimet më të mëdha kur nuk kupton që kur je në opozitë duhet të sillesh sikur je në pozitë dhe e kundërta”, thekson Ceka.

Sipas tij, kjo sjellje tregon një moment diletantizmi nga ana e opozitës. “Eshtë një greve që do të justifikojë humbjen e kryetarit dhe është e pamoralshme. Ka një mungesë morali sepse nuk thonë që edhe nëse do gjejnë një mekanizem për kutitë, si do veprohet për radhën tjetër. Rama i ka marrë 3 deputetë PSD-së, 1 Paskal Milos, 1 PBDJ-së dhe 1 G99-ës”, shtoi ai. Ceka nënvizoi gjithashtu se PS e hartoi këtë sistem zgjedhor për të goditur aleatët e saj. “Rama largoi partnerët, u përpoq t’i grabiste dhe arriti rezultatin fatal”, shtoi Ceka.  
 

Top Channel