Kuvendi, asnjë datë për dekretet e Topit

30/05/2010 08:35

Politika shqiptare pritet që të jetë para një prove të re përplasjeje për drejtësinë për procesin e miratimit në Kuvend të tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët janë dekretuar nga Presidenti Topi në fillimin e javës së kaluar.

Por edhe pse situata në Gjykatën e Lartë është konsideruar si emergjente dhe mbushja e vendeve vakante është kërkuar të bëhet sa më shpejt, deri më datën 2 qershor, axhenda e Kuvendit nuk e ka përcaktuar diskutimin në Komisionin e Ligjeve të dekreteve të Presidentit.

Seanca plenare e radhës është anonçuar nga Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli se do të mbahet të enjten, më 3 qershor, ndërkohë që sipas të gjitha gjasave, tre anëtarët do të diskutohen në seancën e së hënës së ardhshme, më 7 qershor.

Seanca plenare e ditës së nesërme nuk do të zhvillohet pasi mësohet se është shmangur një përplasje politike deri në Samitin e Sarajevës, ku Bashkimi Europian do të anonçojë vendimin për liberalizmin e vizave, si dhe do të japë indikacionet në lidhje me përparimin e statusit të vendit kandidat.

Samiti i BE-së për Ballkanin, i cili do të kryesohet nga shefja e diplomacisë së BE-së, baronesha Ashton, dhe ministri i Jashtëm, Moratinos, mblidhet të mërkurën dhe përfaqësues nga Shqipëria do të jetë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Top Channel