Stanishev: Mazhoranca të tregojë pjekuri politike

29/05/2010 17:55

Kriza politike në Shqipëri u komentua edhe njëhërë tjetër nga anëtari i Internacionales Socialistë dhe ish-kryeministri bullgar, Sergei Stanishev.

Stanishev përballë gazetarëve pas takimit të komitetit të Internacionales Socialiste vlerësoi hapin e Partisë Socialistë për të lënë grevën e urisë. Sipas tij tashmë i takon mazhorancës të tregojë që ka pjekuri politike.

“I takon qeverisë dhe mazhorancës të provojë që ka pjekuri politike. Të dyja palët u japin llogari qytetarëve të Shqipërisë. Duhet të garantohet që incidentet në zgjedhje të mos ndodhin me në të ardhmen në mënyrë që shqiptarët të shkojnë të votojnë të qetë”, deklaroi Stanishev.

Më tej ish-kryeministri bullgar, pasi përshëndeti liberalizimin e vizave, vendim të cilin e konsideroi mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë,  tha se rruga për anëtarësim në BE është rrugë e vështirë, që nuk mund të përballohet kur vendi ndodhet, sipas tij në krizë institucionale dhe politike.

“Institucionet të përmbushin kriteret e BE-së. Asnjë vend nuk mund të realizojë ëndrrën e anëtarësimit në BE pa patur konsensus politik. Si mund të kryhet kjo punë në Shqipëri kur kemi një krizë institucionale dhe politike. Qeveria dhe mazhoranca kanë nevojën e opozitës për të treguar që janë të gatshëm të bëjnë kompromis, përndryshe duhet të mbajnë përgjegjësinë politike të mosanëtarësimit në BE”, vijoi më tej ish-kryeministri bullgar.

Top Channel