Meta: Jo kushte nga opozita

29/05/2010 19:45

Numri dy i qeverisë, Ilir Meta, gjatë një vizite zyrtare në Kopenhagen ka rikonfirmuar qendrimin e mazhorancës se situata politike në Shqipëri duhet të zgjidhet vetëm me mjete kushtetuese.

Zoti Meta njohu me këtë qendrim edhe homologen e tij daneze Lene Espersen, të cilës i shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të akomoduar siç tha ai, kërkesat e ligjshme të opozitës përmes dialogut konstruktiv, si dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të qendrueshme brenda kornizës kushtetuese, duke respektuar transparencën.

Por për të arritur këtu sipas zotit Meta duhet që opozita të arrijë pjekurinë politike.  

“Mendoj se Shqipëria ka një problem politik, që s’mund të anashkalohet, që është pikërisht mungesa e maturisë politike nga ana e lidershipit të opozitës për t’u sjellë në mënyrë demokratike, për të pranuar zgjedhjet që ka pranuar gjithë bota dhe që kanë pranuar edhe gjithë komisionerët e kësaj partie në zgjedhje dhe jo për të vënë kushte që cënojnë Kushtetutën e vendit dhe normalitetin demokratik. Ne kemi qënë të hapur dhe jemi të hapur për t’i dhënë të gjitha hapësirat opozitës pa cënuar Kushtetutën dhe gjykatat e vendit”, deklaroi zv.kryeministri Meta.

Përsa i takon takimeve të ekspertëve të Brukselit në Tiranë, numri dy i koalicionit respektoi konfidencialitetin, por u duk se ishte optimist për përfundimin e negociatave.

“Për momentin është një seri takimesh. Unë shpresoj që në javët e ardhshme të kemi një proçes pozitiv”, tha më tej Meta.

Top Channel