Përplasen dy autobuzë, plagosen 6 persona

27/05/2010 17:35

Dy autobuzë me targa maqedonase janë përplasur me njëri-tjetrin në rrugën nacionale Fushë Krujë-Vore, në afërsi të Fushë Prezës.

Sipas burimeve zyrtare te policisë, njëri nga autobuzët ka ndaluar në mënyrë të menjëhershme për t’iu shmangur një aksidenti, ndërsa vetëm pak metra larg tij vinte autobuzi tjetër, i cili edhe pse ka mundur të frenojë e ka pasur të pamundur për të shmangur përplasjen.

Për pasojë pesë pasagjerë dhe drejtuesi i autobuzit të dytë janë plagosur dhe janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Më rëndë, sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, ka qenë drejtuesi i autobuzit.

Të gjashtë të aksidentuarit janë shtetas maqedonas dhe po udhëtonin në drejtim të Durrësit. Ata kishin vizituar më herët kalanë e Krujës.

Top Channel