Lohan: Vizat, realitet pas standardeve

27/05/2010 15:00

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Helmut Lohan e ndoqi konferencën për shtyp të komisioneres Sesilja Malmstrom në kohë reale, në prani të gazetarëve. (UPDATE)

Në përfundim të konferencës për shtyp në Bruksel, ai filloi të vetën në Tiranë, ku dha sqarime të mëtejshme:

“Vendimi që do të merret nga Këshilli dhe nga eurodeputetët në Parlamentin Europian mbi propozimin e Komisionit, do të jetë një vendim politik, sepse do të merret nga politikanë. Parësore mbetet që udhëtimi pa viza do të bëhet realitet vetëm kur të tëra standardet do të përmbushen”, u shpreh Lohan.

Ambasadori Lohan nuk tha nëse kriza politike do të ndikojë ose jo në vendimin përfundimtar dhe nuk bëri asnjë koment për vizitën e përfaqësuesve europianë në Tiranë. Ai përsëriti mëse një herë dhe jo pa ironi se nuk kishte asnjë koment.

“Propozimi i bërë sot, i miratuar sot nga Komisioni Europian për udhëtimin pa viza për shqiptarët, mendoj se është shumë i rëndësishëm  dhe një një lajm shumë i mirë. Një lajm për faqe të parë, – vetëm nëse i kam kuptuar unë gabim përparësitë e qytetarëve shqiptarë. Nuk kam asnjë koment për asgjë tjetër. Thashë edhe më parë, nuk kam asnjë koment, dhe jam shumë i lumtur të përsëris sa herë që ju do të dëshëronit dhe do të kishit nevojë, unë nuk kam asnjë koment”, tha Lohan.

Por ambasadori pranoi se vendimi do të jetë politik, sepse do të merret nga politikanë.

“Vendimi politik do të merret bashkarisht, sic thashë në bashkëvendimmarrje nga Këshilli i Ministrave dhe anëtarët e Parlamentit Europian. Këta politikanë do të vendosin kur të vijë koha për të marrë vendimin. Dhe kjo do të jetë pasi Shqipëria të përmbushë standartet e vonuara. Nuk mund të shtojë asgjë tjetër sot, unë nuk mund ta marr me mend sesi politikanët europianë do të përcaktojnë votën e tyre”, theksoi Lohan.

Mesazhi sipas ambasadorit është kuptuar nga klasa politike.

“Nuk kam asnjë dyshim se mesazhi i dërguar nga Bashkimi Europian është kuptuar plotësisht nga klasa politike shqiptare”, shtoi Lohan.

Përpara këtij vendimi të rëndësishëm të Komisionit Europian, eurodeputetë kanë paralajmëruar se kriza politike në vend mund të ketë një ndikim negativ në vendimin përfundimtar, që pritet të merret në vjeshtë.

Top Channel