Kriza, ekipi nga Brukseli vijon takimet

27/05/2010 19:40

Ekipi negociator nga Brukseli, që mbërriti dje pasdite në Shqiperi, ka zhvilluar një takim informues me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.

Takimi, i cili nisi rreth ores 11.00, ka zgjatur për më shumë se një orë dhe ka pak informacione rreth asaj c’ka është diskutuar brenda në zyrat e Bashkimit Europian, mes dërgatës nga Brukseli dhe diplomatëve të huaj.

Takimi ka qenë informues, lidhur me ato që ekspertët kanë debatuar me dy liderët kryesorë politikë, Berishën dhe Ramën e takimet e të mërkurës pasdite.

Ajo që dihet është se bisedimet kanë ngecur në cështjen e fletëvotimeve, që sipas zotit Berisha duhen djegur në rast të hapjes së kutive të materialeve zgjedhore. Ndërsa sipas zotit Rama, jo, pasi përbëjnë provën e hetimit dhe prova nuk mund të zhduket.

Një natë më parë, delegacioni zhvilloi bisedime të gjata deri në orën 23 me kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama.

Delegacioni, i kryesuar nga Jana Sindelkova, zv/shefe e kabinetit të Stefan Fule, e angazhuar me Ballkanin, Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërine në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, si dhe dy këshilltaret e kryetarëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Rob Van De Uoter dhe Jesper Haglynd qëndruan për rreth dy orë në zyrën e kreut të qeverisë.

Rreth orës 21 ata udhëtuan drejt zyrës së shefit të opozitës Edi Rama, në bashkinë e Tiranës, ku qëndruan afërsisht 90 minuta.

Top Channel