Kola: Kërkojmë integrim politik

27/05/2010 22:45

Kreu i Shoqatës së ish të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politikë, Kurt Kola një ndër mbështetësit e grevës së urisë së socialistëve, duke folur në “Top Story” tha se të përndjekurit që ai përfaqëson mbështesin Partinë Socialiste pasi sipas tij po luftohet për një qëllim demokratik që duhet ta mbështësin të gjithë shqiptarët.

“Ne shkojmë nga një krah në tjetërin kur e kuptojmë se luftohet për një qëllim demokratik. Këtu nuk është vendosur demokracia, une votën time do t’ia jap djallit dhe ma lër atje, mos më vidh votën për të mbajtur pushtetin. Rama po kërkon atë që duhet ta përkrahë çdo shqiptar që ka ndjenjën e lirisë, edhe ai që ka qënë më shërbëtori i komunizmit”, nisi fjalën e tij Kola.

Më tej kreu i njërës nga shoqatat të të përndjekurve, foli edhe për synimet e të përndjekurve politikë që përfaqëson. Ai rënditi disa nga synimet e tyre ku ra në sy ai i integrimit politik.

“Ne kërkojmë jo më integrim ekonomik, por politik. Në kërkojmë deputetë, kërkojmë ministra, përfaqësim politik me zotësi. Kërkojm obelisk që po premtohet e po mashtrohet. Tek varrezat “Dëshmorët e Kombit” kërkojmë parcelën e lënë nga komunizmi për heronjtë e punës socialiste, për të varrosur viktimat e komunizmit. Këto kërkesa i kam kërkuar Edi Ramës. Rama ka premtuar, por ai nuk është në pushtet, kur të vijë në pushtet ne i duam këto gjëra”, tha zoti Kola.

Komentet e Kolës u pasuan nga ato të analistit Lutfi Dervishi. Dervishi tha se ashtu si politika shqiptare edhe të përndjekurit politikë janë të fragmentizuar dhe se zoti Kola nuk mund të marrë përfaqësimin e të gjithë shtresës. Mënjehërë ka ardhur reagimi i Kolës:

“Unë përfaqësoj pjesën e të përndjekurve politikë që nuk i janë nënshtruar komunizmit”, u shpreh Kola.

Sipas Kolës, të përndjekurit janë tradhëtuar pikërisht nga ajo që ka qënë flamuri i tyre, e djathta shqiptare. Për të kryeministri Berisha ndodhet në fund të karrierës së tij politike pasi misioni i tij, që është shkatërrimi i të djathtës ka përfunduar.

“Jemi tradhëtuar nga ajo që ka marrë flamurin tonë, që quhet e djathtë. Këtu nuk ka patur dhe nuk ka të djathtë sepse e djathta nuk lufton pronarin dhe të përndjekurin politik. Berisha është në fundin e pushtetit të tij sepse e ka mbaruar misionin e tij. Misioni i Berishës ka qënë të mos lejojë të djathtë në Shqipëri, ky ka qënë misioni i tij. Këtë mision e mbylli dhe tani ndodhet në fundin e karrierës së tij politike”, përfundoi fjalën e tij zoti Kola.

Top Channel