Bumçi: Arritjet ekonomike po dëmtohen nga bojkoti

27/05/2010 01:10

Dy deputetët, ai demokrat Aldo Bumçi dhe ai socialist, Ditmir Bushati të ftuar në emisionin “Top Show” debatuan mbi krizën politike dhe pasojat e saj në ekonominë vendase si dhe në proçesin e liberalizimit të vizave.

“Në këto nëntë muaj në kemi bërë përparimet për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave si përgjigjet e pyetsorit, një punë voluminoze. Kemi një krizë ekonomike botërore e cila ka ndikuar edhe në Shqipëri. Krahasimi ynë me vendet e tjera që janë në krizë janë si nata me ditën. Kemi kryer rritje pagash gjatë 2009-ës dhe do të bëjmë të njëjtën gjë edhe gjatë 2010-ës. Janë ngrirë një masë e caktuar investimesh për të parë vijimësine e krizës greke. Paratë janë, por nuk investohen. Pra qeveria ka marrë një masë mbrojtëse paraprake. Të gjitha arritjet ekonomike të Shqipërisë po dëmtohen nga bojkoti dhe greva e urisë së opozitës”, tha deputeti PD-së, Aldo Bumçi.

Ndërsa në fjalën e tij deputeti i PS-së Ditmir Bushati i quajti format e protestës së opozitës si instrumenta për t’i dhënë fund shurdhërisë që karakterizon mazhorancën.

“Ne kemi hedhur hapat tona të parët. Këto kanë qënë instrumenta për tërheqjen e vëmendjes së çdo qytetari dhe për t’i dhënë fund një lloj shurdhërie që karakterizon mazhorancën dhe kryeministrin në veçanti. Nëse nuk gjejmë një zgjidhje për krizën vendosim në pozitë të vështirë BE-në, kur po të shohim kushtet e reja që duhet të plotësojmë për liberalizimin e vizave, janë më të shumta se Bosnja”, tha deputeti Bushati.

Top Channel