Biznesi ngrin investimet

27/05/2010 16:25

Të dhënat zyrtare tregojnë se biznesi ka ngrirë investimet. Sipas Bankës së Shqipërisë në tre muajt e parë të vitit importi i mallrave kapitale, makinerive dhe pajisjeve që përdoren për investime ka rënë me 22 për qind, krahasuar me fillimin e vitit të kaluar. Biznesi thotë se arsyet janë disa.

“Ka mungese likuiditeti ne treg, per shkak te mungesës së theksuar të parave. Biznesi në kushtet kur ka rënë fuqi blerëse po ridimensionon planet”, u shpreh Gjergj Buxhuku, administrator.

Sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë, më shumë se 64 për qind e bizneseve shqiptare nuk kanë kryer asnjë investim në 6 muajt e fundit. Por tkurrja e investimeve nuk po vjen vetëm nga privatët.

Qeveria nuk ka para të stimulojë ekonominë. Sipas të dhënave zyrtare në 4 muajt e parë të vitit, investimet publike ishin 11.5 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë.

Ekspertët thonë se ulja e investimeve parlajmëron për tkurrje të ekonomisë dhe rënie të punësimit. Zyrtarisht edhe Fondi Monetar, por edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë paralajmëruar se viti 2010 do të jetë për ekonominë shqiptare edhe më i vështirë se 2009-a.

Top Channel