Vizat, Swoboda: Pezull nga kriza

26/05/2010 19:35

Pas letrës së përbashkët të 19 majit të krerëve të dy grupimeve kryesore politike në Parlamentin Europian, drejtuar kryeministrit dhe liderit të opozitës në Shqipëri, në të cilën kërcënohej hapur me ndërprerje të procesit të anëtarësimit për sa kohë nuk zgjidhej kriza politike në vend, një tjetër kërcënim vjen nga Hannes Swoboda, i pranishëm në darkën e Strasburgut.

“Ne nuk do të ndalojmë iniciativën tonë derisa të kemi një zgjidhje dhe Shqipëria duhet ta dijë se pa zgjidhje, zhvillimi i marrëdhënieve me BE-në do të ketë shumë, shumë probleme, duke përfshirë këtu dhe cështjen e liberalizimit të vizave. Nuk është qëllimi ynë të kërcënojmë, por të tregojmë rrugën për liberalizimin e vizave dhe negociatave për anëtarësim, dhe për këtë ne presim që Shqipëria të japë po ashtu kontribut”, ka deklaruar Swoboda, zv/president i APSDE ne PE.

Pyetjes së TCH, në c’mënyrë do ta bllokoni liberalizimin e vizave dhe a do ndërhyni dhe tek vendet anëtare, zyrtari evropian është përgjigjur:

“Ne duhet të vendosim për liberalizimin e vizave. Pa Parlamentin Europian, liberalizimi i vizave nuk bëhet”.

Ky kërcënim vjen pikërisht në kohën kur rekomandimi i Komisionit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen pritet t’i kalojë për shqyrtim Parlamentit Europian dhe rikthen debatin për rrezikun e heqjes së regjimit të vizave vetëm për Bosnjen.

TCH kontaktoi edhe me pjesëmarrësit e Partive Popullore Europiane në darkën e Strasburgut, pa mundur të marrë reagimet e tyre, pasi Joseph Daul ishte i zënë me një drekë pune me presidentin e Eurozones Jean-Claude Junker, pas të ciles u largua nga Brukseli.

Ndërsa Eduard Kukan ndodhej në Sllovaki, ku do të qëndrojë deri të hënën e ardhshme, e po kështu dhe Iannis Kasoulides, që do të qëndrojë në Qipro deri në fund të javës.

Top Channel