Sezoni turistik, rritet sasia e klorit në ujë

20/05/2010 10:00

Moti dhe temperaturat nuk janë të favorshme për të nisur pushimet, të paktën në fundjavë.

Por masat për sezonin turistik janë të tilla, sikur të ketë mbërritur vera e mbi të gjitha të kenë ardhur dhjetëra e qindra turistë në territorin shqiptar.

Këtë vit, urdhrat për garantimin e një turizmi të shëndetshëm janë marrë në datën 18 maj.

Ministri i Shëndetësisë ka firmosur dje një shkresë dërguar të gjithë inspektorateve të shëndetit, drejtorive dhe autoriteteve shëndetësore në të gjithë vendin.

Prioritet ka uji i pijshëm, që si në çdo sezon turistik do të ketë përmbajtje më të lartë klori.

Norma më e lartë e sasisë së klorit në ujin e pijshëm eviton përhapjen e ndonjë epidemie në rrjetin e ujësjellësit, që shpesh herë mund të jetë i amortizuar ose bosh për shkak të kufizimeve.

Në kuadër të marrjes së masave, kërkohet kontroll i rreptë e madje gjobitje e penalizime për subjektet që nuk kanë punonjësit e kuzhinës me sigurime shëndetësore, të ekzaminuar e që gëzojnë shëndet të plotë.

Hotele, restorante, pika shitjeje, tregje ushqimore, do të kalojnë të gjitha në sitë, sidomos në qytetet turistike.

Top Channel