
Botime të vjetra, libra të përdorur artistikë, tekste shkollore, me përmbajtje historike, enciklopedi të ndryshme, autobiografi, por edhe ndonjë titull i rrallë, relike e kohëve të shkuara.
Gjithçka mund të gjesh këtu në këtë cep të vogël letrar, buzë një trotuari me qarkullim të dendur të Tiranës. Ky është nje biznes modest të cilin prej shumë vitesh Shpëtim Seferi e shfrytëzon për të mbajtur në këmbë familjen.
“Ka 12 vjet që shes libra, mbaj familjen. Zakonisht shes libra histirokë dhe të rilindasve shqiptarë. Historia e Shqipërisë e kohës së vjetër kërkohet shumë”, shprehet ai. Një treg i stisur librash e pa orientime. Gjithësesi, Shpëtimi ka gjetur një mënyrë që i kënaq nostalgjikët dhe njerëzit e dhënë pas koleksioneve. Ndoshta të pakët, por klientët nuk mungojnë.
“I kërkojnë për qejf, për lexim për kolekson. Vijnë kërkojnë libra të ndryshëm”, shton Shpëtimi. Sado e varfër në dukje, vitrina e pluhurosur, e rrahur nga shiu dhe dielli, tërheq kërshërinë e shumë njerëzve, ndonëse blerësit nuk janë të rastësishëm. “Ju mund të pyesni shitësin , unë blej gjithmonë romane këtu. Sidomos nga Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Ka disa pika shitjeje të tilla në Tiranë, të cilat i frekuentoj rregullisht”, pohon një klient.
Ka njerëz që mendojnë se vlera e një leximi nuk varet nga kopertina e shkëlqyer e sapo dalë në dritë nga një botim i fundit. Kënaqësinë shumë prej tyre e gjejnë përmes gërmimit të shpërndarjes kaotike të këtyre librave ku gjurma e kohës lexohet lehtë.
“Interesi për mua është shumë i madh. Libri është gjithmonë i vecantë dhe ka vlera në cdo kohë. Nuk i humbet vlera. Kam filluar të koleksionoj libra të cdo lloj natyre. Sa herë kam nostalgji i shfletoj dhe mësoj nga ato”, shprehet një lexues tjetër.
Nën kapakët e shformuar nga dielli, ku ruhen shumë nënshkrime e dedikime të lëxuesit të dikurshëm, blerësit e sotëm zbulojnë vlera aktuale. Këto libra, relike që era ua ka tharë aromën e mykut, për disa njerëz ruajnë edhe sot shumë vlera. Vlerën e artit që nuk lexon kohë dhe të botimeve që rikthejnë nostalgjinë dhe dëshmitë e së shkuarës.
Top Channel