Brukseli, 170 pyetje të reja

18/05/2010 16:35

Zhvillimet e fundit politike në Tiranë bëjnë që Brukseli të kerkojë të tjera sqarime në kuadër të pyetësorit të dorëzuar nga kryeministri Berisha dy javë më parë.

Janë 170 pyetje të reja që lidhen me miratimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, komisionet hetimore parlamentare, por edhe shumë sqarime të tjera, mes të cilave kërkohet edhe përkthimi i Kodit Penal.

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi se në total janë identifikuar deri tani jo më shumë se 170 pyetje të reja, të cilat s’ mund të quhen shtesë pasi duke iu referuar kohës në të cilën pytësori është dorëzuar e deri tani ka pasur zhvillime të tjera, për të cilat KE kërkon tani përgjigje.

“Ka pyetje të cilën e kemi numëruar si të re që i përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Sigurisht që debatet politike gjatë këtyre muajve kanë bërë që Komisioni të kërkojë edhe këtë lloj informacioni. Një tjetër pyete e re, ka të bëjë me emrimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese i cili është një vendim, apo le të themi emrim i bërë nga presidenti vetëm së fundmi. Sikurse ka kërkesa, që ne i cilësojmë si sqaruese, për të dërguar Kodin Penal shqiptar në gjuhën angleze. Eshtë kërkuar informacion për komisionerin e antidiskriminimit të emëruar së fundmi. Eshtë kërkuar informacion për ndarjen e detyrimeve në zyrën e Agjencisë së Prokurimit Publik ndërmjet Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionerit për ankesat. Në total diku tek 700 kërkesa. Mali i Zi, i ka marrë pyetjet shtesë dy muaj e gjysmë pas dorëzimit të materialit, ne i morëm vetëm një muaj pas dorëzimit të pyetësorit.  Kjo jo vetëm që nuk vonon por për ne ishte surpizë që përgjigjet e pyetësorit të lexoheshin në një kohë të tillë rekord, ç’ka do të thotë se materiali nuk ka pasur problematika për t’u perceptuar nga KE, që do të thotë se ne kemi qenë realist në atë që kemi shprehur, dhe kjo veçse e afron procesin dhe na mban në një ritëm të kënaqshëm me KE. Përgjigjet do t’i japim brenda datës 10 qershor. Pra koha në dispozicion është fare e shkurër, është më pak sesa një muaj”, u shpreh Bregu.

Top Channel