3 kandidatët e Kushtetueses para deputetëve

18/05/2010 08:45

Tre juristët e emëruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, do të përballen sot me deputetët e mazhorancës, për të paraqitur profilin e tyre.

Në Komisionin Parlamentar të Çështjeve ligjore, sot në orën 09:00 zhvillohet seanca dëgjimore me Vangjel Kostën, Altina Xhoxhajn dhe Bashkim Dedjen.

Për rreth 60 minuta, deputetët do të pyesin tre anëtarët e emëruar për të gjithë veprimtarinë e tyre profesionale dhe njerëzore.

Në dosjen që do të diskutohet sot nga deputetët, janë të depozituara edhe CV-të e tre anëtarëve të sapodekretuar nga kreu i shtetit.

Në mbledhje nuk do të jenë prezentë parlamentarët e opozitës, por vetëm ata të Partisë Demokratike dhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço, anëtar i Komisionit të Ligjeve.

Pas zhvillimit të seancës dëgjimore, Komisioni i Ligjeve dërgon relacionin përkatës dhe Kuvendi në seancë plenare jep pëlqimin e tij, procedurë që zhvillohet me votim të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë.

Top Channel