Rama: S’tërhiqemi pa u bërë transparenca

17/05/2010 19:25

Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalën e tij në protestën e sotme të opozitës ka denoncuar shurdhërinë dhe verbërinë e qeverisë ndaj grevistëve që lënë cadrat për t’u dërguar në spital.

Duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në grevë, Rama ka theksuar se qeveria i trembet të vërtetës që mund të dalë nga hapja e kutive.

“Teksa po perëndon dita e 17-të, unë dua të duartrokasim ata që sot morën rrugën e spitalit. Ata luftuan për një kauzë që i bën nder atdheut dhe popullit tonë. Trupat e motrave dhe vëllezërve tanë që dalin nga këto cadra janë dëshmi të shurdhërisë së këtij pushteti, i cili qëndron i shurdhët dhe i verbër sepse u trembet kutive që ka mbyllur”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, me këtë veprim qeveria pengon jo vetëm zgjidhjen e krizës, por edhe rrugën evropiane të Shqipërisë.

“Ky pushtet, duke i mbyllur rrugën zgjidhjes së transparencës, i mbyll rrugën popullit të Shqipërisë, e cila rrënohet cdo orë”, ka pohuar Rama, duke nënvizuar se protesta e PS nuk do të degjenerojë kurrë në dhunë. “Lëvizja jonë kurrë nuk do të degjenerojë dhunë, por do të gjenerojë energjitë e një populli që lufton për rrugën drejt Evropës”, është shprehur Rama.

Lideri i opozitës ka theksuar se vjedhja e votave është një realitet, i cili sipas tij mund të provohet me hapjen e kutive.

Ai është shprehur se synimi i së majtës është transparenca, jo për të marrë pushtetin në tryezë, por për të shmangur grabitjen e votave në zgjedhjet e ardhshme.

“Shqiptarët e kanë kuptuar që votat janë vjedhur dhe mbahen të mbyllura që të vidhen përsëri. Kjo është e vërteta dhe ne kërkojmë transparencë për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të përfundojnë në të njëjtën mënyrë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shtuar më tej se opozita nuk do të tërhiqet kurrë nga protesta e saj, duke mbrojtur deri në fund liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

“Berisha këtu do të na ketë, përballë, për të luftuar deri në fund për transparencën. Berisha mund të vazhdojë të nxjerrë kukullat e tij në parada, por opozitën nuk e lëviz dot nga qëndrimi i saj në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kushtetuese”, ka shtuar Rama.

Top Channel