Qeveria gjen fajtorin për “borxhet”

17/05/2010 15:35

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka ngritur kallëzim penal ndaj paraardhësit të tij socialist Spartak Poçi në Prokurorinë e Tiranës.

Përmes një padie që ka shkuar për dijeni edhe të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, Olldashi fajëson ish-ministrin Poçi si  përgjegjës direkt për dënimin e Shqipërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, në lidhje me cështjen e trenit elektrik. Sipas ministrit aktual të Transporteve, ish-ministri Poçi, në datën 3 dhjetor 2003, ka kërkuar zyrtarisht zbatimin e menjëhershëm të një pjesë të kontratës për trenin, në kundërshtim me ligjin dhe pa marrë ratifikimin në kuven të marrëveshjes së huasë.

Kjo sipas Olldashit ka shërbyer si prova kryesore në favor të kompanisë amerikane ‘General Electrics’, e cila ka fituar përfundimisht gjyqin ndaj qeverisë shqiptare për prishjen e njëanshme të kontratës së trenit.

Gjykata e Arbitrazhit në Romë ka vendosur në favor të kompanisë amerikane, duke e dënuar Shqipërinë sipas Ministrisë së Punëve Publike me 12 milionë euro gjobë, shumë që rritet ccdo ditë edhe për shkak të interesave. Olldashi i kërkon publikisht Prokurorisë që të hetojë këtë krim, i cili sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve Publike, penalizon pa të drejtë buxhetin e shqiptarëve.

Odiseja e cështjes gjyqësore mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë amerikane nisi që në vitin 2005, pasi qeveria demokratike e sapoardhur në pushtet prishi në mënyrë të njëanshme kontratën 70 milionë dollarëshe për ndërtimin e trenit të ashtuquajtur elektrik Tiranë-Durrës.

Top Channel