Minoriteti i Derviçanit, protesta në emër të bizneseve

17/05/2010 08:20

“Larg duart nga bizneset e Dropullit”. Kjo ishte parulla që shoqëroi protestën paqësore të organizuar paraditen e së dielës në fshatin Derviçan të Komunës së Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër.

Sipas organizatorëve, bizneset e minoritarëve po goditen nga segmente të caktuara të shtetit. Kreu i Komunës së Dropullit të Poshtëm, Dhimitër Maluqi, ka deklaruar se kohët e fundit ka nisur një “gjueti shtrigash” ndaj bizneseve të minoritetit etnik grek.

Sipas tij, janë të paktën 6 kompani dhe firma të biznesit të vogël dhe të mesëm që gjatë një fushate të komanduar nga shtetit janë goditur me gjoba që kapin vlera maksimale, nga 50 deri në 100 mijë lekë të reja. “Pjesë e kësaj fushate është bllokimi dhe heqja e licencës së firmës së transportit ndërkombëtar, ‘Dropoli’, që është një goditje e hapur ndaj minoritetit etnik grek”, kanë theksuar protestuesit.

I pranishëm në protestë ka qenë edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai ka deklaruar se heqja e licencës së “Dropulit” është iniciuar nga segmente të caktuara të shtetit dhe për këtë ai i bëri thirrje qeverisë që t’i japë fund kësaj fushate që diskriminon dhe nëpërkëmb të drejtat e minoritetit, ushtrimin normal të aktivitetit privat dhe bizneseve në zonën e Dropullit.

Akuza u hodhën edhe ndaj deputetit të PD-së dhe njëkohësisht ministrit të Punës, Përkrahjes Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, se qëndron pas sulmeve për të goditur disa bashkëfshatarë të tij biznesmenë që nuk pranojnë t’i japin përkrahje politike.

Organizatorët e tubimit paqësor janë përpjekur që protesta e tyre të mos merrte karakter politik apo si formë përkrahjeje ndaj grevës së urisë së përfaqësuesve të PS-së në kryeqytet. Në përfundim të tubimit, protestuesit formuan një karvan të gjatë më automjete, i cili ka bërë një udhëtim demonstrative nga Derviçani e deri në pikën doganore të Kakavijës. Ndërkaq, burime nga zyrat e Degës së Tatim-Taksave në Gjirokastër bënë të ditur se nuk ka asnjë fushatë apo kontroll të diferencuar, por thjesht një punë e përditshme rutinore, një veprimtari më se normale, e shoqëruar si zakonisht me ndëshkime normale e ligjore për shkeljet e konstatuara.

Ndërsa deputeti dhe ministri i Punës, Përkrahjes Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, në një prononcim telefonik për “Shqip” tha se administratorët e firmës “Dropoli” e kishin vënë në dijeni të bllokimit të përkohshëm dhe se është duke u interesuar në instancat përkatëse për të sqaruar problemet ligjore dhe për të përshpejtuar kompletimin e dokumentacionit ligjor.

Top Channel