Kriza, opozita: Drafti ekziston

17/05/2010 19:45

Socialistët kanë akuzuar kryeministrin Sali Berisha se po injoron dhe shkel mbi propozimet e pranuara gjatë negociatave nga vetë mazhoranca për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Përfaqësues të opozitës kanë pranuar negociatat mes palëve nën presionin e diplomacisë perëndimore, të cilat në fund kanë arritur në një draft/propozim i cili është pranuar nga PS, me synimin për të zgjidhur krizën e rëndë dhe per t’u përballur pa kosto me objektivat dhe sfidat europiane që ka vendi.

“Faktori ndërkombëtar, apo miqtë ndërkombëtarë, gjatë gjithë kësaj periudhe kane qenë mjaft të shqetësuar per degradimin e krizës politike në Shqipëri dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm si me përfaqësues të opozitës edhe me përfaqësues të mazhorancës dhe pas shkëmbimit të opinioneve me aktorët politikë kanë arritur në një draft/propozim, të cilin ne e kemi pranuar duke marrë parasysh situatën e rëndë politike që kalon vendi dhe sfidat që ka përballë. Një propozim, i cili i hap në thelb rrugën transparencës së zgjedhjeve të kaluara dhe nga ana tjetër investon një institucion autoritar sic është Komisioni i Venecias, që ka një ekspertizë shumë të dalluar për një cështje e cila mund të jetë objekt interpretimi për hapjen e kutive të votimit”, ka deklaruar deputeti Ditmir Bushati.

Socialistët argumentojnë edhe ligjërisht këtë situatë të dytë, ku parashikohet hapja e kutive të materialeve dhe njëkohësisht dërgimi për shqyrtim i kërkesës për hapjen e kutive të votimit në Komisionin e Venecias.

Sipas deputetit dhe juristit Damian Gjiknuri, kjo situatë është parashikuar qartë në nenin 178 të Kodit Zgjedhor.

“Pra, materialet zgjedhore ruhen në arkivat shtetërore, gjë që do të thotë se janë të aksesueshme në cdo kohë për cështje hetimore, kurse fletët e votimit ka përcaktuar që asgjesohen pasi nuk kanë më rëndësi publike. Nuk parashikohen sekuenca, mbase për arsye praktike mund të mendohet që ato të asgjesohen në momentin kur hapen, por përderisa kemi një interes publik dhe për aq kohë sa Kodi Zgjedhor nuk ka parashikuar sekuenca dhe as nuk ka thënë që patjetër duhet bërë menjëherë, si dhe kur ka një krizë politike në mes dhe kur ka një interes për hetim, kjo gjë mund të realizohet shumë thjesht. Mjafton me aktin e KQZ, i cili do të bënte të mundur hapjen e kutive të materialeve zgjedhore sipas ligjit dhe të përcaktohej dhe ruajtja e tyre derisa Komisioni i Venecias të shprehej për këtë. Ose një zgjidhje tjetër do të ishte që komisioni hetimor me planin e hetimit t’i bënte një kërkesë KQZ-së, ku t’i thoshte që ju do t’i ruani kutitë me fletët e votimit derisa të shprehet Komisioni i Venecias”, ka deklaruar Gjiknuri.

Sipas PS, deklaratat e mazhorancës për antikushtetueshmëri janë sa absurde, aq edhe qesharake. “Është e rëndësishme që zoti Patozi apo zoti Berisha të mos flasin si zëdhënës të Gjykatës Kushtetuese, por t’i krijojnë mundësi komisionit hetimor parlamentar të hapë kutitë”, ka shtuar Bushati.

Ndërkaq, OSBE nuk ka komentuar kritikat ndaj deklaratave të ambasadorit Bosch, duke u shprehur se nuk ka asgjë për të shtuar në qëndrimet e javës së kaluar.

Top Channel