Rama: Kutitë, Komisionit të Venecias

15/05/2010 17:35

Kryetari i PS, Edi Rama, në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh ka deklaruar se opozita do të vazhdojë luftën për të siguruar transparencën dhe lirinë e zgjedhjeve.

Rama ka theksuar se me protestën e djeshme opozita ka rrëzuar të gjitha propagandat që po bëhen sipas tij kundër saj nga qeveria.

“Po sfidojmë gënjeshtrën duke protestuar në bulevard. Grevistët po kapërcejnë cdo pengesë fizike, duke dëshmuar nevojën e patjetërsueshme për liri të zgjedhjeve. Dua t’iu shpreh të gjithë atyre që ishin dje në protestë falenderimin për masën qytetare dhe emancipuese që i dhanë protestës, duke i zhbërë në hic zërat e ngritur me qëllim për të dëmtuar dhe njollosur opozitën, si një burim i mundshëm dhune”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS ka theksuar se protesta e opozitës nuk do të ndalet, pasi sipas tij ajo nuk bëhet për interesa partiake, por për interesa kombëtare.

“I neveris që të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj marrëzie qeveritare, të transformuar në një propagande kundër opozitës. Por u them se e kanë të kotë. Ne nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi dhe nuk ndalemi, sepse nuk po kërkojmë interesin e njërës palë, por interesin që të gjitha palët të bashkëjetojnë”, është shprehur Rama.

Ai ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e reagimit të qeverisë ndaj një problemi të tillë të ngritur nga opozita, që ka të bëjë me funksionalizimin e demokracisë në vend.

“Ndjeva keqardhje për shurdhërinë, verbërinë, për qasjen e tij ndaj një problemi që është një problem kombëtar transparence, jo në funksion të një lufte për pushtet, por për demokratizim dhe emancipim. Për clirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e atij korrupsioni që nuk e lë popullin të qeveriset nga ata që zgjedhin”, ka theksuar Rama, i cili i është përgjigjur edhe kërkesës “së neveritshme” të kryeministrit Berisha për lejimin e ekipeve mjekësore.

“Kryeministri po trajton me cinizëm grevën që po transmetohet në sytë e të gjitha mediave, të varura dhe të pavarura. Kjo grevë po ndiqet nga një grup mjekësh të nderuar e të respektuar. Nëse qeveria do të bëjë inspektime, ajo le t’i bëjë, askush nuk e pengon. Por në këtë deklaratë të Berishës unë shoh dicka të neveritshme, që ka të bëjë me një dëshirë të fshehur që në atë cadër të ndodhë dicka e keqe, që të ndikojë tek protesta e opozitës”, ka deklaruar Rama.

Ai i ka cilësuar si qesharake pretendimet e kryeministrit, që me hapjen e kutive shkelet Kushtetuta, të cilën sipas tij Berisha e ka shkelur 30 herë në një periudhë të shkurtër kohore.

Sipas Ramës, PS është e gatshme të pranojë menjëherë kompromisin, nëse qeveria garanton transparencë dhe kushtetueshmëri.

“Kompromisi është gati, transparenca dhe kushtetueshmëria. Transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe në asnjë mënyrë për të marrë pushtetin në tavolinë. Ne e kemi pranuar dhe jemi të gatshëm në cdo moment që ta zgjidhim përmes vullnetit dhe padyshim edhe përkushtimit tonë në funksion të transparencës këtë krizë”, ka nënvizuar Rama, duke shtuar se PS pranon hapjen e kutive nga Komisioni i Venecias.

“Hetimi fillon me hapjen e kutive të dokumentacionit të zgjedhjeve. Ndërsa kutitë e votimit jemi të gatshëm t’ia lëmë një pale të tretë, sic është Komisioni i Venecias”, ka pohuar Rama.

Më tej ai e ka vënë theksin tek kriza e rëndë ekonomike që ka pllakosur tek familjet shqiptare, për shkak të korrupsionit të qeverisë, e cila sipas tij mashtron duke publikuar të dhëna të rreme.

Kreu i PS ka komentuar edhe shitjen e hotel “Dajtit”, i cili u ble nga Banka e Shqipërisë, duke shtuar se ky veprim u bë pasi qeverisë i ka shterruar likuiditeti.

Top Channel