Persona të inkriminuar në protestat e PS-së

14/05/2010 08:15

Ministria e Brendshme shprehu dje shqetësimin për cënimin e rendit, sigurisë dhe shkeljen flagrante të ligjit nga veprimet e strukturave të Partisë Socialiste në disa qarqe të vendit, gjatë ditëve të fundit.

Ministria e Brendshme thotë se disponon tashmë, të dhëna të sakta se kundërshtimet me dhunë të punonjësve të policisë, gjatë manifestimeve të paligjshme të Partisë Socialiste, janë kryer dhe nxitur nga persona të evidentuar me precedentë kriminalë.

“Në radhët e personave të arrestuar, të ndaluar, të shoqëruar apo proceduar në gjendje të lirë, pas manifestimeve të paligjshme dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, të paktën 2 persona në Tiranë, 2 në Durrës, 4 në Shkodër, 4 në Gjirokastër dhe 2 persona në Berat figurojnë të evidentuar me precedentë kriminalë”, u shpreh zëdhënësi Fatmir Konja.

Sipas tij, përfshirja e personave me precedentë kriminalë në manifestimet në kundërshtim me ligjin që ka zhvilluar Partia Socialiste në disa qarqe të vendit, përbën një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike.

Top Channel