Tiranë, aksident në autostradë, 3 të vdekur

13/05/2010 23:55

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 22 të mbrëmjes në autostradën Tiranë-Vorë ku tre persona kanë humbur jetën. (UPDATE)

Aksidenti ka ndodhur në kilometrin 6-të të autostradës, ku një taksi është përplasur me kolonat e një karburanti, me shpejtësi aq të madhe sa automjeti Benz-Mercedes është ndarë në dysh.

Të dy pasagjerët e taksisë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa shoferi i taksisë ka ndërruar jetë pak minuta më vonë në urgjencën e Spitalit Ushtarak.

Vajza që ka humbur jetën gjatë aksidentit është Legjenda Sadikaj, 20 vjeç nga Kosova, ndërsa vazhdojnë kërkimet e policisë për të identifikuar personin e dytë që udhëtonte si pasagjer ne automjet, i cili është rreth të tridhjetave.

Sipas policisë, drejtuesi i mjetit, Astrit Daçi 45 vjeçar, që ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak ka humbur kontrollin e makinës në përpjekje për të evituar përplasjen me një tjetër mjet.

Ndërsa qarkullimi i automjeteve në Tiranë, ndodhet në vështirësi për shkak të bllokimit të disa akseve, në autostradë, shpejtësia e automjeteve vazhdon të jetë e lartë edhe pse nën vezhgimin e shumtë të forcave të policisë së qarkullimit rrugor.

Top Channel