Marku: Opozita po shkel ligjin nga dëshpërimi

13/05/2010 21:55

Deputeti i PD, Mark Marku ka deklaruar se ndërhyrja e policisë ndaj protestës së opozitës ka ardhur si pasojë e shkeljes së ligjit nga kjo e fundit, duke bllokuar rrugët.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Marku është shprehur se, për shkak të dështimit në thirrjen e qytetarëve, opozita kaloi në shkeljen e ligjit duke sulmuar edhe punonjësit e policisë.

“Ka një përshkallëzim, kalimi nga manifestimet e shesheve në segmentime të organizuara në mënyrë të pjesshme në rrugët e vendit. Është një mënyrë e dështuar e opozitës për të thirrur qytetarin. Opozita nuk ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve dhe ka filluar një luftë partizane, duke penguar dhe shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor”, ka pohuar Marku.

Sipas tij, ndërhyrja e policisë në qarkun e Korcës ka qenë tërësisht ligjore dhe ishte opozita ajo që shkeli të drejtat e qytetarëve duke u mohuar atyre qarkullimin e lirë.

“Konfrontimi ka qenë pikërisht sepse është cënuar një e drejtë e qytetarëve, qarkullimi i lirë. Shteti paguhet për të siguruar rrugët, sigurinë kombëtare, kufijtë, etj. Pikërisht veprimi i opozitës, nga kalimi i protestave në bulevard në rrugë, ka bërë që të ndryshojë situata. Nuk mund të bllokohen të gjitha rrugët e vendit. Deputetët kanë vepruar në një mënyrë jo normale, duke bllokuar rrugët dhe duke sulmuar policinë”, ka shtuar Marku.

Top Channel