Landfillet, 200 milionë euro

13/05/2010 21:10

Administrimi i mbetjeve urbane është një nga cështjet më problematike në gjithë vendin.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë prezantimit të strategjisë për menaxhimin e mbetjeve tha se taksa për pastrimin që duhet të paguajë një familje një herë në vit është shumë e ulët, ndërsa kostoja për administrimin e mbetjeve shumë e lartë.

“Tarifat e pastrimit të mbetjeve janë shumë të ulëta, janë 10 dollarë në vit, shumë më pak në raport me të gjitha vendet evropiane e fqinje. Është një shifër shumë e vogël”, ka pohuar Mediu.

Në gjithë vendin duhet të ndërtohen 12 landfille, dhe për realizimin e gjithë ciklit për administrimin e mbetjeve ka një faturë prej 150 deri në 200 milionë euro.

Mungesa e fondeve ka bërë që edhe dy landifllet në Korcë dhe Bushat të mos vihen në punë, pasi njësitë vendore nuk kanë para.

“Që të bëhet funksionale skema, duhet që të gjithë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Njësitë vendore kanë mundësinë të përcaktojnë taksat lokale, që shërbejnë për këtë gjë”, ka deklaruar specialisti Pëllumb Abeshi.

Kreu i mjedisit ka treguar se ka nisur puna për pastrimin e bregdetit, por edhe të lumenjve nga mbetjet urbane dhe më pas do të vijohet me pastrimin e akseve rrugore nga mbetjet e ngurta dhe nga hapësirat e mbushura me makina të vjetra.

Top Channel