Ballsh, banorët: Ujësjellësi i ndotur

13/05/2010 21:00

Epidemia që shpertheu në qytetin e Ballshit dhe që preku qindra persona edhe në fshatrat përreth erdhi pasi uji i pijshëm u përzie me ujërat e zeza.

Kjo epidemi mund të shpërthente edhe më parë për shkak se prej vitesh në këtë qytet ka patur shqetësime me ndotjen e ujit të pijshëm nga kanalizimet e ujërave të zeza.

Këtë e pohojnë vetë banoret e këtij qyteti. “Ka kohë, nuk është puna se është bërë sot. Unë kam 7 vjet këtu dhe s’ka ardhur njeri për ta parë”, tregon një prej tyre.

Por drejtori i ujësjellësit të Ballshit mohon që linjat e ujit të pijshëm të kenë carje që lejon futjen e ujërave të zeza.

“Janë marrë 145 kampione të ndryshme uji nga disa fshatra, të cilat janë jashtë kanalizimeve të ujit. Kjo na detyron për të bërë dicka, por nuk ka carje të tubacionit”, deklaron Shyqo Meta.

Autoritetet e larta shëndetësore dhanë si shkak ndotjen e ujit të pijshëm dhe sasinë e ulët të klorit. Ndërkohë, fluksi i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore ka vazhduar por me numër të përgjysmuar. Sërish të sëmurët shfaqin të njëjtat shqetësime dhe kërkojnë mjekime dhe serume.

Top Channel