Rama: Berisha mban peng kutinë e zhvillimit

12/05/2010 19:20

Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalimin e tij në protestën e sotme të opozitës, ka deklaruar se kryeministri Berisha nuk mban peng vetëm votën e lirë, por edhe zhvillimin ekonomik dhe procesin integrues të vendit.

Rama ka theksuar se hapja e kutive është dicka e domosdoshme në mënyrë që vendi të hyjë në rrugën e zhvillimit.

“Kjo gënjeshtër e kthyer në sistem nuk është vetëm në kutitë e 28 qershorit, por edhe në kutinë e mbyllur të ekonomisë shqiptare, të informacionit, të Parlamentit. Ne duhet t’i hapim këto kuti për t’i hapur rrugë Europës, sepse ne e duam Europën këtu”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës i ka drejtuar një apel edhe krerëve të Policisë së Shtetit, që të mos plotësojnë kapricot e krerëve të qeverisë për të penguar protestuesit.

“Përsëris apelin tim për drejtuesit e Policisë së Shtetit, që duhet të jenë në krye të detyrës ndaj qytetarëve dhe jo ta ngatërrojnë këtë detyrë për t’iu përgjigjur interesave të një shtetit që është në konflikt me qytetarët, që nuk i lejon ta numërojnë votën e tyre”, ka theksuar Rama.

Në fund kreu i PS ka rikonfirmuar synimin e partisë së tij për të mos u tërhequr nga protestat dhe ka ftuar gjithë shqiptarët që të mblidhen në Tiranë më 14 maj.

“Ne nuk lodhemi, nuk mërzitemi dhe nuk tërhiqemi në këtë betejë, që është për të garantuar që pushteti të mos merret më në tavolinë sic u mor më 28 qershor. Të gjithë të mblidhen më 14 maj, të gjithë artistët, të cilët janë solidarë të kësaj proteste, për të hapur rrugën për cdo shqiptar”, ka shtuar Rama.

Top Channel