Korcë, protestuesit përplasen me policinë

12/05/2010 15:00

Degjeneroi në dhunë mes militantëve të majtë dhe policisë, protesta e organizuar nga socialistët në qytetin e Korcës.

Anëtarët e kësaj partie dhe mbështetësit e saj në mesditë kërkuan të organizojnë një protestë në Ceravë, në aksin nacional Korcë-Pogradec.

Forca të shumta të policisë, me arsyetimin se protesta ishte e jashtëligjshme, kanë ndërhyrë me forcë duke përdorur shkopinjtë e gomës, si dhe sipas protestuesve është hedhur gaz lotsjellës.

Një prej policëve e ka lëshuar gazin në këmbët e protestuesve, një pjesë e të cilëve kanë ndjerë shqetësime të forta.

Mes protestuesve ishin edhe deputetë socialistë të Korcës dhe Pogradecit, të cilët janë konfrontuar ashpër me forcat e policisë.

Deputeti Pandeli Majko dhe shefi i grupit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë kanë debatuar ashpër. Protesta është kthyer pothuajse në një përleshje të dhunshme dhe në mesin e protestuesve ka patur edhe të dëmtuar për shkak të gazit të hedhur nga policia.

“Ka pasur dhunë ndaj deputetit Pandeli Majko dhe ndaj qytetarëve që kanë dashur të protestojnë në mënyrë paqësore. Janë hedhur lëndë djegëse ndaj syve të tyre”, ka deklaruar deputetja e PS, Mimi Kodheli.

Pas përleshjes deputetët socialistë shoqëruan të dëmtuarit në spital dhe më pas paditën drejtuesit e forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

“Kemi denoncuar drejtorin e forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe atë të policisë së qarkut të Korcës”, ka deklaruar deputeti Alfred Dalipi.

Deputetët kërkuan informacion për lëndën kimike që u përdor kundër protestuesve. Mes tyre ishte edhe deputetja Arta Dade, e cila kërkoi që policia të mos pengojë zhvillimin e protestës. “Sali Berisha i ka ditët e numëruara, atij i ka ardhur fundi dhe po ashtu edhe këtij pushteti”, ka deklaruar ajo.

Top Channel