Berisha: Rama, mos blloko rrugët

12/05/2010 21:35

Kryeministri Sali Berisha nuk ka pritur shumë, që nga tensionimi i situatës në rrugën nacionale të Korçës, duke i kërkuar publikisht kreut të socialistëve Edi Rama të mos veprojë kundër interesave të qytetarëve me bllokimin e rrugëve. (UPDATE)

“Zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke respektuar plotësisht protëstën, të mos tëntojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë duke u ndalur rrugën. Le të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë. Rrugët janë të publikut, të qytetarëve, rrugët janë të atyre që transportojnë, të të sëmurëve dhe të shëndoshëve, të halleve dhe problemeve, të urgjencave dhe askush nuk mund të mendojë se do të mund të ndëshkojë qytetarët shqiptarë duke u dalë përpara në rrugë”, është shprehur Berisha.

Gjatë inaugurimit të tre veprave publike me vlerë 400 milionë lekë, në bashkinë e Kamzës, njëra prej të cilave ishte inaugurimi i rrugës “Azem Hajdari”, kryeministri Berisha, identifikoi kreun e socialistëve Edi Rama me udhëheqësin e fundit të regjimit komunist, Ramiz Alia.

“Por dua t’u them Ramiz Alisë dhe bllokëqënëve të tjerë të mos u qeshë buza se jeni gabim, jeni gabim rëndë. Keni bërë ç’keni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë njeri-tjetrin, ne demokratët jemi të përcaktuar të ecim drejt Europës”, tha Berisha.

Ndërsa, më herët, gjatë paradites, kryeministri Berisha, hodhi poshtë tezën e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Duke diskutuar për strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim deri në 2013-ën, koha e rregullt e mbylljes së mandatit të dytë, zoti Berisha foli për një mandat të tretë qeverisës.

“Kur u hartua kjo strategji, ishte mandati i parë dhe ju jeni dëshmitarë për këtë. Shqiptarët vendosën me votën e tyre të lirë që, ne që e hartuam, ne edhe ta zbatojmë. Dhe nga viti 2012, do të hartohet strategjia 2014-2017. Kjo do të ndodhë!”, deklaroi kryeministri.

Top Channel