Weichert: Qeveria të bëjë hapin e parë

11/05/2010 08:20

Në kulmin e krizës politike në Shqipëri ka ardhur një zë i rëndësishëm nga një përfaqësues i një grupimi të rëndësishëm gjerman, i cili bën thirrje që qeveria duhet të bëjë e para hapin për dialog.

Përfaqësuesi i fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, Michael Weichert, në një intervistë të dhënë për radion “Deutsche Welle”, deklaron se “duhet një vullnet politik i palëve që të hyjnë në bisedime” dhe jep një variant konkret.

Për aq kohë, tha ai, sa te të dyja palët ekziston përshtypja, që bisedimet nuk sjellin zgjidhje, atëherë kriza do të vazhdojë.

“Në një sfond të tillë duhet vepruar me emergjencë për zgjidhjen e situatës, sepse njerëzit po dëmtohen dhe kjo mund të çojë në shkallëzimin e mosmarrëveshjeve. Sipas mendimit tim, situata mund të zgjidhet vetëm nëse zhvillohen zgjedhje të reja bashkë me zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Weichert..

Top Channel