Presidenca spanjolle: Kriza po pengon integrimin

11/05/2010 17:40

Spanja, e cila ka presidëncën e radhës së BE-së, i bën një thirrje të drejtëpërdrejtë politikës shqiptare të gjeje një zgjidhje sa më të shpejtë.

Në një intervistë dhënë për BBC, zëdhënësja e presidencës Cristina Gallach tha se Shqipëria nuk mund të ecë përpara drejt integrimeve evropiane në një gjendje të paqëndrueshme politike.

“Ashtu siç e kemi thënë, të gjitha vendet e BE-së, presidenca e radhës dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në situatën e Shqipërisë ajo që na duhet është të lëvizim nga situata aktuale drejt një qëndrueshmërie politike dhe një marrëveshjeje politike. Dhe ajo që po ndodh është saktësisht e kundërta e kësaj. Nga ne do të ketë një porosi e qartë që të lëvizet drejt një situate kur qeveria dhe opozita do të kuptojnë rëndësinë e momentit në të cilin jetojnë, të rëndësisë vendimtare të çështjeve që vendosen në tryezë që lidhen me përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Prandaj ta rimendojnë sërish dhe të garantojnë që aktorët politikë të mbajnë qëndrime konstruktive”, theksoi Gallach.

Ajo ka teksuar se kriza aktuale nuk mund të ketë një ndikim pozitiv. Duke folur për takimin e Sarajevës, Gallach, tha se pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është e një rëndësie të posaçme dhe e domosdoshme. Sipas saj, vetë ministri i jashtëm spanjoll, Angel Moratinos, ka shfaqur bindjen e tij se takimi në Sarajevë do të rezultojë me porosi pozitive për të gjitha vendet e Ballkanit në marrëdhëniet me BE-në.

“Ajo që ne po bëjmë tani është puna me të gjitha vendet në rajon, me qëllim që konferenca të vazhdojë përgatitjet. Siç e ka thënë edhe ministri Moratinos, të hënën, ai është shumë i sigurt se do të jetë një takim shumë i mirë, dhe që do të rezultojë me porosi pozitive për vendet e rajonit në marrëdhëniet me BE-në”, pohoi ajo.

Top Channel